Në mbështetje të protestave studentore kundër të keqës që e ka kapluar Universitetin Publik të Prishtinës në veçanti, dhe arsimin e lartë në Kosovë në përgjithësi

Në mbështetje të protestave studentore kundër të keqës që e ka kapluar Universitetin Publik të Prishtinës në veçanti, dhe arsimin e lartë në Kosovë në përgjithësi

Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë “Vlera” përkrah kërkesat më së të drejta të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave të cilat po organizojnë protesta ditëve të fundit, me kërkesën e tyre për reformim të thellë të UP-së, duke filluar me shkarkimin e rektorit aktual të UP-së.

Arsimi i lartë në Kosovë viteve të fundit është degraduar tej mase, ndërsa ai publik akoma më keq, meqë është i partizuar në maksimum, me profesorë e asistentë me nota e diploma të dyshimta, që kulmoi së fundmi edhe me disa arrestime në Fakultetin e Mjekësisë. Për të mos mjaftuar këto arrestime për dorëheqjen e rektorit, atij ju gjetën punime “shkencore” në revista fiktive shkencore, me të cilat ai ka avancuar në karrierën e tij “amkademike”. Pra as kjo nuk po i mjafton që të dorëhiqet nga posti i rektorit të UP-së, njejtë siç e pati mbajtur postin e rektorit edhe paraardhësi i tij me skandale të shumta dhe me degradim të vazhdueshëm të UP-së, i cili pati shkuar aq larg sa që e pati ble edhe një çmim, “çmim” që fliste për “kualitetin” e UP-së.

Ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme që të mos ndërhyjnë ndaj studentëve, meqë protesta dhe demonstrimi janë të drejta elementare që një shtet demokratik i ofron, të drejta këto të cilat mbrohen edhe me konventa evropiane. Pamjet që i pamë dje, i duhen më së paku Kosovës, ku policia shkelmon e arreston studentë, të cilët në mënyrë paqësore kërkonin realizimin e kërkesave të tyre!

Në vend të shkelmimit dhe arrestimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Kosovës që të zgjerojnë hetimet e tyre, tu shkojnë deri në fund keqpërdorimeve dhe krimeve që kanë ndodh dhe po ndodhin në Universitetin e Prishtinës, nga “profesorë”, “asistentë” dhe persona të tjerë të lidhur ngushtë me ta dhe me subjekte të caktuara politike.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë studentëve dhe profesorëve të ndershëm të Universitetit të Prishtinës që të bashkohen me këta studentë, ti plotësojnë kërkesat e tanishme, dhe tu shkojnë deri në fund, deri në realizimin e plotë të tyre!

VLERA, Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë

Bruksel, 29 Janar 2014

 

 

Leave a Reply