Ne, studentët e organizatës së studentëve shqiptarë në Belgjikë, VLERA,
Mbështetesim kërkesat e studentëve të Universitetit të Tiranës,
Kërkesat e studentëve për heqjen e mesatares (6) si kusht për vazhdimin e masterit, heqjen e kushtit të pagesës së shumës prej 30% në fillim të vitit akademik, heqjen e pagesës për provimet e mbartura janë më se të drejta. Secili student duhet të solidarizohet me këto kërkesa dhe të angazhohet në realizimin e plotë të tyre!
Mesatarja (6) vetëm për universitetet shtetërore dhe jo për ato private, e bën fare të qartë qëllimin e mesatares, pra të zvogëloj numrin e studentëve nëpër universitetet publike, dhe rritjen e tyre në ato private. E kur dihet që para disa kohësh u mbyllën disa prej atyre private, dhe u lanë disa të tjera, me këtë vendim shtjellohen shumë gjëra, siç janë lidhjet dhe interesat direkte dhe indirekte të politikes në arsimin privat, pra profiti individual apo grupor i disa qeveritarëve apo financuesve të tyre.
Detyrimi për të paguar 30% të pagesës së studimit në fillim të vitit është i padrejtë dhe si i tillë duhet të anulohet. Edhe në vendet evropiane ku shkollimi i lartë paguhet akoma (kryesisht një pagesë simbolike – në raport me standardin e jetesës) nuk kërkohet një shumë e tillë, në rastin më ekstrem kërkohet të paguhet 10% pas afro 45 dite nga fillimi i vitit akademik. Përderisa numri i vendeve evropiane që po e ofrojnë shkollimin e lartë falas po rritet (rasti i fundit është Gjermania), është absurde që një vend si Shqipëria që aspiron ti ndjek po këto shtete, të diskriminoj dhe t’ua pamundësojë shqiptarëve shkollimin e lartë.
Po ashtu vendimi për tarifimin e lëndëve në bazë të numrit të krediteve me rritje prej 200% për lëndet e mbartura është akoma më diskriminues dhe rrit akoma më shumë dyshimet për këtë vendim! Një vendim i tillë është përjashtues për studentët që donë ti përmirësojnë notat e tyre, apo në shembullin tjetër edhe ti largoj drejtë institucioneve private (pra është një tarifim frigues dhe aspak motivues për studentët).
Ne i kundërshtojmë fuqishëm këto vendime dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që ti kthej mbrapshtë. Në të njejtën kohë u bëjmë thirrje të gjithë studentëve shqiptarë që të bëhen bashkë dhe ti kundërshtojnë këto vendime deri në tërheqjen e plotë të qeverisë nga to!
Bashkë jemi më të fortë!
Bruksel, 29 tetor 2014
VLERA,
organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë.