Përmbledhje nga takimi i dytë

Përmbledhje e takimit të dytë

– Mbledhja filloi me prezantimin e 6 studentëve të rinj që nuk kanë mundur të vijnë apo që nuk kanë qenë të njoftuar për takimin e parë.

– Pastaj fjalën e mori Gegë Efendia i cili tha që si çdo organizim, edhe organizimi ynë duhet të ketë udhëheqës apo koordinatorë të punëve deri në krijimin e plotë të organizatës dhe zgjedhjen e personave udhëheqës . Po ashtu Gega potencoi që përpilimi i një rregullore apo statuti do të ndihmonte në mbarvajtjen sa më të mirë të takimeve dhe krijimin sa më të shpejt të organizatës. Po ashtu një rregullore apo statut që definon njëkohësisht edhe qëllimet e organizatës do të ndihmonte shumë studentët që ta gjejnë ose jo veten në organizatë (nëse ka të atillë që nuk kanë ardhur për qëllime studentore).

– Në ndërkohë Mimoza Muçaj foli për kalimin në fazën tjetër, dmth krijimin dhe regjistrimin e organizatës pranë autoriteteve përkatëse. Për këtë punë më i rëndësishmi i potencua të jetë statuti, i cili do të shërbej si bazë e organizatës, po ashtu foli edhe për çështjet e tjera administrative.

– Pas fjalës së Mimozës filloi diskutimi në lidhje me emrin e organizatës. Diskutim i cili pati filluar edhe në takimin e parë, fillimisht u bën disa propozime e më pas meqenëse kishte shumë propozime, u bë një votim i parë ku këto dy propozime morën më së shumti vota : « Vlera » si dhe « Dituria ». Takimi vazhdoi me votimin e këtyre propozimeve, triumfoi propozimi « Vlera » me 3 vota më shumë. Pas përzgjedhjes së emrit, ramë dakord që përpara emrit të thuhet : Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë « Vlera ».

– Fjalën përsëri e mori Gega i cili duke u ndërlidhur me rregulloren dhe statutin që i permendi në fillim tha që takimet duhet të zhvillohen për interesa studentore, ata/ato që duan të bisedojnë personalisht me ndonjërin prej studentëve, le ta bëjnë pas takimit … po ashtu tha që takimet duhet të ndërlidhen me qëllime studentore, dhe hapja e temave fetare e politike gjatë këtyre takimeve do të mund të shkaktonte përçarje mes studentëve, pra tema të tilla mundësisht të evitohen, pas kësaj pati disa reagime, ku u tha që temat e tilla nuk duhet të ndalohen, mirëpo të mos shkohet shumë larg në këto tema, pra të diskutohet mirëpo pa shkuar deri në përçarje, thjesht shkëmbim mendimesh mes studentëve.

– Gjatë diskutimit në lidhje me statutin u përmend edhe roli i anëtarëve të organizatës, ku anëtar i plotë apo anëtar me të drejtë vote, do të jetë secili student që është duke i vijuar studimet si dhe çdo student që i ka përfunduar studimet dhe që dëshiron të kontribuoj në organizatë. Po ashtu u la e
hapur mundësia edhe për anëtarë jo studentë, të cilët do të mund të jenë anëtarë pa të drejtë vote. Vota do të përdoret për çdo vendimarrje në organizatë, pra në një far mënyre vota e lirë e secilit student do të jetë timon i organizatës. Dhe meq jemi organizatë e studentëve, atëherë vetëm dhe vetëm studentët janë ata që duhet të vendosin për drejtimin që duhet të marr organizata!

– Gjithashtu u kërkua që rolet apo punët brenda organizatës të ndahen në bazë të drejtimeve që kemi gjithsecili prej neve, pra dikush që studion dizajnin grafik të merret me nevojat grafike (p.sh. logo) të organizatës, dikush në ekonomik me financa, juridiku me punën e statutit e me punë administrative, informatika me anën teknike (p.sh uebfaqe), etj. Kjo në mënyrë që sa më shumë prej nesh të marrin pjëse aktivisht në zhvillimin e organizates.

– Në fund u ridiskutua puna e statutit dhe qëllimet e organizatës, të gjithë u pajtuam që statutin të filloj ta shkruaj Mimoza Muçaj, e më pastaj draft statuti të diskutohet përmes internetit deri në takimin e rradhës, dhe mundësisht (nëse është gati kuptohet) në takimin e ardhshmë të aprovohet statuti dhe të vazhdohet me zgjedhjen e udhëheqësisë dhe regjistrimin e organizatës.

– Po ashtu u morëm vesh që Facebook-i të shërbej si mjet komunikimi i jashtëm (pra mjet reklamues), ndërsa diskutimet e brendshme në lidhje me organizatën të diskutohet (të paktën për fillim) në një forum të jashtëm, i cili do të instalohet në uebfaqen studentet.be. Ndërsa të gjitha vendimet (të paktën deri në krijimin e organizatës) të mirren përgjatë takimeve fizike! Vendimet nëse nuk ka konsesus të përbashkët, do të mirren me shumicë të thjeshtë.

– Për fund u morëm vesh që takimi i rradhës të mbahet pas 2 apo 3 javesh pasi që më vonë është e pamundur të takohemi për shkak të provimeve, kohë kjo e cila për mendimin tonë është shumë e gjatë. Po ashtu u vendos që Agon Efendiu të mirret me komunikimin me studentë, pra ti kontaktoj
etj. Orea të mirret me marrëdhëniet me jashtë (për më vonë, sepse njëherë është akoma herët), Dardan Prebreza me punën teknike (uebfaqja, etj). , Mimoza Muçaj me anën juridike, dhe në këtë fillim me statutin e organizatës, ndërsa Gegë Efendia do t’i udhëheq takimet e ardhshme.

Në pika të shkurtëra :
-Emri i organizatës : Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë “Vlera”
-Përpilimi i statutit dhe regjistrimi i organizatës pranë autoriteteve përkatëse.
-Facebook-u për komunikim të jashtëm dhe forumi (privat) për komunikim të brendshëm
-Personat me të cilët janë ngarku me punë deri në zgjedhjen e udhëheqësisë dhe ndarjes se detyrave në bazë të statutit:

  • Agon Efendiu : kontakti me studentët si dhe administrimi i faqes së organizatës në facebook
  • Orea Lika : marrëdhëniet me jashtë (organizata të tjera studentore, qoftë shqiptare apo të huaja)
  • Dardan Prebreza : anët teknologjike të organizatës (krijimi i uebfaqes, forumit , …)
  • Mimoza Muçaj : përpilimi i një draft statuti dhe anët e tjera juridike e administrative për regjistrimin e organizatës.
  • Gëgë Efendia : udhëheqja e takimeve të ardhshme deri në krijimin e organizates.

VLERA, orgnizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë
27 Nëntor 2011